Takimi radhes ne qytetin e Peqinit
Në Takimin Publik të radhës së nismës “Voto, ti Vendos”, mbështetur nga Programi i Granteve të Vogla i Ambasadës Amerikane, organizuar në qytetin e Peqinit, me ndihmën e bashkisë së këtij qyteti, ishte i ftuar Z. Endri Xhafo, personalitet dhe gazetar i njohur në Shqipëri, i cili gjatë fjalës së saj, theksoi se: “…Votimi familjar vijon të mbetet problem serioz i zgjedhjeve në Shqipëri. Misionet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it e kanë vënë re këtë në të gjitha raportet për zgjedhjet në Shqipëri. Kjo vjen si pasojë e një mentaliteti që e sheh politikën vetëm si një “punë” për burra. Por një nga shtyllat e demokracisë është barazia mes qytetarëve dhe, ndonëse me vonesë, e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur u është njohur grave në shekullin XX, duke plotësuar kështu shprehjen e vullnetit të popullit.Rëndësia kapitale për zgjedhje të lira, të rregullta dhe të ndershme qëndron në shumë faktorë. Krejt së pari,zgjedhjet riafimojnë autoritetin e shtetit të së drejtës.
Në vijim zgjedhjet e lira dhe të ndershme hedhin dritë mbi çështjet që shqetësojnë shoqërinë, sepse kandidatatët janë të detyruar t’u paraqesin zgjedhësve qëndrimet e tyre mbi çështjet e ndryshme, si edhe programin e tyre. Së fundi, zgjedhjet u japin qytetarëve pushtet që të zgjedhin mes kandidatëve të ndryshëm. Në këtë kuadër, është shumë e rëndësishme që kandidatët të dëgjohen me vëmendje, të pyeten për programet e tyre dhe për ato që kanë realizuar deri më sot. Duke zhvilluar, për sa të jetë e mundur, një komunikim të tillë të thelluar me kandidatët për deputetë, çdo zgjedhës, përfshirë gratë dhe vajzat, e ka më të lehtë të krijojë një ide për atë që kërkon nga përfaqësuesit e tij në Parlament. Po ashtu, do të jetë më pak i ndikueshëm nga të tretë dhe më i prirur për të ruajtur fshehtësinë dhe karakterin vetjak të e votës.…”